Policia e Tiranës ka arrestuar një 23-vjeçar dhe një 16-vjeçar të cilët trafikonin lëndë narkotike nga SHBA-ja. Në kërkim për këtë çështje është shpallur edhe një 23-vjeçar tjetër.
“Si rezultat u godit një grup që trafikonte lëndë narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vu në pranga shtetasi Gledis Dikellari, 23 vjeç, dhe një 16-vjeçar. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi S. K., 23 vjeç”, njoftoi policia.
Këta tre persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin lëndë narkotike me përqindje të lartë THC drejt vendit tonë. Gjithçka bëhej nëpërmjet shërbimit postar.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 5 kg kanabis sativa me vlerë 90 mijë Euro nëse do të shitej, 5 aparate celulare, 8 mijë Euro dhe shuma të tjera parash.