Shqipëria merr 2 helikopterët ushtarakë Black Hawk

Shqipëria ka marrë në dorëzim 2 helikopterët ushtarakë Black Hawk. Këta helikopterë do të jenë në përdorim nga Forcat e Armatosura Shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se siguria dhe mbrojtja e vendit janë prioritet absolut i qeverisë.

“Dy helikopterët Black Hawk mbërritën në vendin tonë si një investim shumë i rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura. Mirënjohje e veçantë për partnerin tonë strategjik SHBA për mbështetjen e tyre të vazhdueshme! Mbrojtja dhe siguria e vendit tonë, prioriteti ynë absolut”.

Helikopterët Black Hawk mbërritën sot në Shqipëri nga SHBA dhe u transportuan me avion ushtarak amerikan.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë ka vlerësuar partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes. Ambasada e SHBA thotë se këta helikopterë do të ndihmojnë Forcat Ajrore të Shqipërisë.

“Mbërritje historike e helikopterëve të parë UH-60 Black Hawk të Shqipërisë. Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara erdhi sot në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”.

Black Hawk është helikopter kryesor i transportit dhe sulmit ajror i ushtrisë amerikane me ngritje mesatare. Ai është i pajisur me dy motorë dhe me dy helika me nga katër tehe.

Leave a Reply