Durrës, naftë në Adriatik; ndoten 2.5 km vijë bregdetare

Bregdeti i Durrësit është ndotur mesditën e së shtunës nga një sasi hidrokarburesh që kanë prekur një gjatësi prej më shumë se 2.5 kilometra vijë bregdetare, në zonën e plazhit Iliria.

Alarmi është dhënë nga banorët e zonës. Policia nisi menjëherë hetimet, duke ngritur një grup të posaçëm.

Paraprakisht flitet për një sasi vaji të përdorur anijesh që është shkarkuar në det dhe burime jozyrtare të policisë thonë se ka një anije të dyshuar, por ende nuk ka prova zyrtare.

Pjesë e grupit të posaçëm hetimor janë ekspertë të laboratorit kriminalistik dhe inspektorë të mjedisit që do të marrin mostra për ekspertim.

Gjithashtu do të bëhet verifikimi i të gjitha anijeve në radën e Portit të Durrësit dhe çdo mjet lundrues që ka lëvizur në hapësirën e ndotur detare përgjatë 24 orëve të fundit.

Krahas kësaj, mjetet e policisë kufitare kanë dalë në det në patrullim për të verifikuar të gjitha lëvizjet në ujërat tona territoriale. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaroi se personat përgjegjës do të gjenden dhe vendosen para ligjit.

Njollat e mëdha të vajit dhe hidrokarbureve të djegura pluskojnë mbi të gjithë vijën bregdetare që shtrihet nga zona e njohur si Iliria deri tek Teuta. 

Leave a Reply