Një përfaqësi studentësh të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë protestuar këtë të shtunë ndaj ndotjes mjedisore që po shkaktohet nga djegja e mbetjeve urbane në vendgrumbullimin në Porto Romano.
Studentët e cilësuan një krim ekologjik atë që po ndodh në veri të qytetit të Durrësit dhe kërkuan marrjen e masave nga bashkia. Ata thanë se, është e pamundur të zhvillohen leksionet nën tymin toksik që çlirohet nga djegia e mbeturinave.
Studentët kërkuan të merren masa për ndalimin e menjëhershëm të djegies së plehrave, të bëhet riciklimi i tyre, si dhe të merren masa ndaj përgjegjësve të kësaj ndotjeje masive.
Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane e inerte për Bashkinë e Durrësit është i parrethuar dhe jashtë çdo standardi për përpunimin dhe menaxhimin e tyre.
Dhjetëra njerëz punojnë çdo ditë brenda vendgrumbullimit, duke u vënë zjarrin mbetjeve për të përfituar tela dhe skrap metalik.