Rama i vendosur: Zero taksa për biznesin e vogël

Pavarësisht rezervave të shfaqura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama la të kuptohej se qeveria nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj për të hequr taksat për biznesin e vogël me një xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë dhe për të ulur ndjeshëm ato për fashën nga 50 deri në 80 milionë lekë.

Në fjalën e mbajtur para socialistëve fierakë në kuadër të turit “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë”, kryeministri tha se heqja dhe ulja e taksave për biznesin e vogël është pasojë direkte e reformave të ndërmarra nga qeveria.

Ai kërkoi më shumë durim për të parë rezultatet e këtyre reformave, megjithëse, sipas tij, efektet e para kanë nisur të dalin.

“Asnjë operacion nuk bëhet sa hap e mbyll sytë. Reformat janë operacione që kërkojnë pasion, durim dhe kohën e tyre. E vërteta është që në dy vjet ne kemi prodhuar një sërë rezultatesh të dukshme që janë më shumë sesa pikëmbërritja, stacione inkurajimi të madh për të vazhduar rrugën më tutje. Jemi larg nga mbërritja dhe nga përfundimi i kësaj faze historike reformash, por ka rezultate që qysh sot japin rezultate të drejtpërdrejta në jetën e njerëzve”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se ka ende shumë për të bërë dhe se ajo që po bën qeveria me reformat e veta, kryesisht në fushën ekonomike, është hedhja e themeleve për ndërtimin e një shteti në shërbim të qytetarëve.

Rama u ndal edhe tek bujqësia, një ndër prioritetet e qeverisë. Ai njoftoi nisjen e punës nga fillimi i vitit të ardhshëm për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese në bashkëpunim me bashkitë e vendit.

Një lehtësi për fermerët është nisma e qeverisë për kreditimin përmes një fondi kombëtar.

“Qeveria ka krijuar një fond kombëtar të garancisë dhe fermerët mund të marrin kredi nga bankat jo me interesa komerciale, por me interesa të arsyeshme, ose të marrin kredi ku interesat do të paguhen plotësisht nga qeveria”, deklaroi Rama.

Leave a Reply