Kryebashkiakja Valbona Sako takohet me ambasadorin e Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri –
-Kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Katarit në vendin tonë Ali bin Hamad Al-Marri, ku temë kryesore e bisedës ishte vizita që do të bëjë në bregdetin e Durrësit anija turistike Al Mubaraki, në kuadër të kampionatit botëror Katar 2022.
Kjo anije zhvillon një fushatë promovuese të eventit në shumë vende të botës. Kjo anije, e cila funksionon në sajë të energjisë së pastër të erës dhe diellit do të ankorohet në brigjet e Durrësit në 26 gusht kur do të zhvillohet edhe eventi i madh promovues nën kujdesin e kryebashkiakes Valbona Sako dhe ambasadorit të Katarit Ali bin Hamad Al-Marri.
Në këtë takim merrte pjesë edhe kreu i kapitenerisë së Durrësit, Taulant Allka. Përveç organizimit të këtij eventi ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri, pasi e ka uruar për detyrën kryebashkiaken Sako ka biseduar me të një sërë temash lidhur me bashkëpunimin konkret midis dy vendeve. Nga ana e saj kryebashkiakja Sako e ka njohur ambasadorin e Katarit me historinë dhe resurset që ofron qyteti i Durrësit përsa i përket veçanërisht sektorit të turizmit dhe atij ekonomik.
Sako u ndal sidomos në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin Ali bin Hamad Al-Marri me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Kryebashkiakja Sako deklaroi se “turizmi është një prioritet i bashkisë ku synohet zhvillimi i mëtejshëm i investimeve vendase dhe të huaja”.
Kryebashkiakja Sako e ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Katarin dhe ka shprehur dëshirën që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të tjera bashkëpunime dhe projekte që i shërbejnë qytetit të Durrësit. Al Mubaraki është një anije nga Katari tradicionale prej druri me gjatësi 40 metra që po lundron në shumë destinacione turistike botërore duke zhvilluar fushatën promovuese të kampionatit botëror Katar 2022.