“Skamja të çon në derë të hasmit”, është një fjalë e urtë popullore, që për shqiptarët e Kosovës po bëhet realitet i hidhur këto kohë.
Një burimi i tha tesheshi.com se për çdo ditë nga Graçanica, enklavë serbe që gjendet në qendër të Kosovës, së paku 30 shqiptarë, pleq e të rinj, nisen me furgona drejt Nishit të Serbisë, jo nga dëshira por nga halli.
Mësyjnë drejt qytetit serb me shpresë se do të pajisen me pasaporta të Serbisë, pasi për shkak të mosliberalizimit të vizave, ajo e Kosovës nuk ka çfarë u hyn në punë.
Kjo, dhe për shkak të një dëshire për t’u larguar nga Kosova. Dhe shpëtimin e gjejnë tek pasaportat serbe, të cilat kanë një çmim të lartë, jo vetëm financiar por dhe çmim dinjiteti.
Burimi tha se pas dështimit të qeverisë së Kosovës në liberalizimin e vizave me BE-në, numri i shqiptarëve të Kosovës që presin në sportelet e stacionit policor të Nishit është rritur dukshëm.
Por ata aty, gjenden si “cjapi tek kasapi”. Burimi informoi se ata aty keqtrajtohen dhe torturohen psiqikisht, sidomos nga ish-policë të Kosovës, të cilët, pas luftës, për shkak të krimeve të kryera në Kosovë kanë ikur në Serbi dhe tani janë duke shërbyer në stacionin e Nishit, pikërisht aty ku u kanë “bujtur” shqiptarët hallemëdhenj.
“Shqiptarët nuk lejohen që të ulen në stolat që janë të vendosur në korridor para zyrave. Policët serbë i detyrojnë ata që të qëndrojnë në këmbë, në rresht për një, dhe këtë lloj zbori jua bëjnë dhe duke i sharë ata”.
“Shptari, çka po kërkoni ju këtu, ju e keni shtetin e juaj, keni edhe pasaporta. Ikni se vetëm Aleksandar Vuçiçi po ju lejon, se ne do iu kishim vrarë”, iu thonë policët serbë shqiptarëve që presin në radhë për të dorëzuar dokumentacionin apo për të marrë pasaportën”, ka thënë burimi i tesheshi.com.