Dyshimet e para, atentatorët ishin të bardhë; një prej tyre refugjat sirian

Kur kanë kaluar më shumë se 12 orë nga atentatet që tronditën Francën e më gjerë, ende nuk ka informacione të sakta mbi atentatorët.

“Ishin të bardhë, të rinj rreth 25 vjeç” dhe “Dukeshin si ushtarë të forcave speciale”, janë disa nga informacionet e publikuara në media të ndryshme online.

Nga të dhënat e konfirmuara dihet vetëm se, 8 prej tyre kanë vdekur, 6 janë hedhur në erë, 2 janë vrarë nga forcat speciale gjatë ndërhyrjes. Por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe të tjerë që mund të jenë arratisur dhe policia po i kërkon.

Nga disa dëshmi të mbledhura nga gazeta “Le Monde” flitet për dy makina të zeza, të drejtuara nga dy të rinj rreth të njëzetave, njëra prej të cilave e regjistruar në Belgjikë e që tashmë është gjetur.

Por bëhet fjalë për të dhëna që nuk kanë gjetur ende konfirmim. Të dhëna të tilla sugjerojnë se tre nga atentatorët e Parisit janë shtetas belgë dhe vijnë nga lagjia Molenbeek e Brukselit, e njohur për një operacion anti-terror të zhvilluar më herët gjatë vitit.

Për rrjedhojë, një operacion i gjerë po zhvillohet nga policia belge në Molenbeek-Saint-Jean, periferia perëndimore e kryeqytetit.

Sipas televizionit lokal RTBF, që citon burime të rezervuara, agjentët po kryejnë tre bastisje të njëkohëshme në zonën në fjalë dhe një individ është arrestuar.

Ndërkohë, ende nuk është konfirmuar as lajmi se në trupin e një prej kamikazëve të vdekur në Stadiumin e Francës është gjetur një pasaportë siriane.

Televizioni grek Antenna News citon zv.ministrin e Brendshëm, Nikolaos Toskas që thotë: “Pasaporta e gjetur pranë kamikazit është identifikuar se i përket një refugjati sirian të regjistruar në ishullin e Lesbos më 3 tetor”.

Ndërsa kanali Europe 1 raporton për identifikimin e një atentatori të dytë. Bëhet fjalë për një shtetas francez të identifikuar nga gjurmët e gishtave. Kamikazi ka lindur në lagjet periferike pariziene, ishte rreth 30 vjeç dhe ishte një personazh i njohur për shërbimet sekrete.

Ndërsa gazeta “Le Parsien” flet edhe për praninë e një gruaje mes atentatorëve në Bataclan. Gjithësesi bëhet fjalë ende për hipoteza, ndërkohë që autoritetet po analizojnë gjurmët e ADN-së të gjetura në vendet e ngjarjeve dhe gjurmët e gitshtave të vrasësve.

Ndërsa BBC, që citon burime pranë qeverisë britanike, raporton se atentatorët ishin një celulë e vetorganizuar që ishte kthyer në Francë nga Siria. Sipas rrjetit britanik, tek një nga kamikazët është gjetur edhe një pasaportë egjiptiane.

Leave a Reply