Edhe aktorët janë krijues

Në fokus

Në një bisedë televizive, kohë më parë, aktori “mjaft i arrirë e i vlerësuar”, në pyetjen e gazetarit u përgjigj: “Jam munduar të bëj një rol të mirë, por nuk e di sa ia kam dalë, këtë pres ta vlerësojë vetë publiku”!
Duket qartë që aktori “i madh” është shumë i lumtur që mungon kritika teatrale, barometri i vlerësimit mbi krijimin e rolit bazuar në përshkrimin e personazhit nga ana e shkrimtarit-dramaturgut si dhe bazuar në konturat regjisoriale mbi personazhin! Publiku (brenda publikut familja, farefisi, shoqëria e ngushtë, miqësia familjare, aktivistët partiakë, demagogë, snobë…) nuk është aty për të vlerësuar, sepse nuk është në rolin e kritikut, por thjesht, është publik që në të shumtën e rasteve, i bashkëngjitet duartrokitjes së njohësve të teatrit apo të konteksteve që trajton shfaqja. Natyrisht, këto duartrokitje janë reagim qorrazi dhe jo vlerësim profesional mbi lojën apo interpretimin e rolit.
Pa dyshim, aktrimi është krijimtari! Aktrimi që sendërtohet mbi mësimet regjisoriale apo mbi përshkrimet e shkrimtarit-dramaturgu nuk është asgjë tjetër përveçse interpretim mekanik! Në këtë rast, nuk kemi art, prandaj, sikur edhe tërë publiku të ishte stërmbushur me kritikë teatror, nuk do të kishim vlerësim.
Aktori i mirëfilltë nuk do të guxonte të shfaqet në skenë nëse nuk është i bindur se ka krijuar një rol të cilit i ka falur pjesë nga shpirti i vet! Aktori i mirëfilltë, fillimisht e analizon personazhin e shkrimtarit-dramaturgut, e studion botën e tij të jashtme e të brendshme, hulumton mbi personazhe të ngjashme në shoqëri, mbledh karaktere prej tyre, mbledh temperamente, mbledh lëvizjet, reagimet e pakushtëzuara, veset dhe, prej të gjithë këtyre “drithërave”, brumos dhe ngrit një rol të veçantë. Kësisoj, aktroi i mirëfilltë krijon veprën e vet, ndërsa përkujdesi i regjisorit në perfeksionimin e këtij personazhi është si ai i skulptorit mjeshtër që ia del me daltën e vet ta latojë subjektin-objektin deri në vepër të përkryer skulpturale.
Regjisori në veprën e vet regjisoriale ngrit një “planet” të panjohur më parë, ndërsa aty e vë aktorin, i cili përmes lojës së vet prej një qenie të denjë për këtë “planet” duhet që në hapësirën skenike, brenda një kohë qoftë edhe prej disa sekondave, të krijojë atë harmoninë përmes së cilës e josh tërë publikun për t’u bërë pjesë e atij planeti! Kur ta ndjejë këtë arritje fantomike, nuk do të ketë nevojë për vlerësim të publikut, ndërsa derisa është në pritje të përgjigjes prej publikut nëse ia ka dalë apo jo me rolin e vet, kjo do të thotë se ky farë aktori nuk është asgjë tjetër përveçse një mediokër dhe një balonë e fryrë e cila sapo të prekë në majën e gjembit më të vogël, pëlcet dhe shqyhet.
Aktori që nuk e konsideron veten krijues, por thjesht, interpretues në skenë, është bartës mekanik i roleve që zgjasin sa fluskat e sapunit në skenë të errët! Sapo të ndizen dritat, shpërthejnë duartrokitjet e familjarëve, shokëve, miqve dhe urimet “e ngrohta” në koktej. Fotografitë e shkrepura në këtë koktej do të dëshmojnë për një “shfaqje të suksesshme”, porse jo edhe rolet si krijime aktoriale.
Aktori që pret të vlerësohet nga publiku, kurrë nuk mund ta perceptojë shpirtin artistik të Aleksandër Moisiut, Bekim Fehmiut, Abdurrahman Shalës, Faruk Begollit, Çun Lajçi, Bajrush Mjakut, Sefedin Nuredinit, Zija Murtezit, Selman Jusufit, Luran Ahmetit, Hadi Shehut, Shani Pallaskës, Sandër Prosit, Ndrek Lucës, Gulielm Radojës, Zef Dedës, Timo Fllokos, Ndriçim Xhepës, Lazër Filipit, Bujar Asqeriut, Robert Ndrenikës, Roza Anagnostit, Trinka Kurtit, Margarita Xhepës, Luiza Xhuvanit, Yllka Mujës e shumë emra të tjerë si këta perla të aktrimit. Të gjithë këta nuk kanë krijuar për publikun që të vlerësohen prej tyre, porse kanë krijuar publik duke ua “falur” krijimet e tyre nga aktrimi perfekt. Ky publik i krijuar, mbase edhe nuk diti t’i vlerësojë, por ama kurrë nuk i harruan këta emra dhe një duzinë të tjerë, sepse krijuesi i veprës së përkryer nuk mund të harrohet!
/HEJZA/

Leave a Reply