Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta”, në Rai 1 në përpjekje edhe për të siguruar më shumë kontribute për vendin, pas katastrofës që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
Shefi i qeverisë në fjalën e tij është shprehur se sapo kishte marrë pjesë në samitin e NATO-s në Londër, ku i kishte kërkuar presidentit Amerikan Donald Trump, dhe të tjerëve, ndihma për rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti.
“Nëse është e vërtetë ajo thënia që ajo që nuk të vret të bën më të fortë, ne duam ta bëjmë një fakt të dukshëm. Ne jemi duke punuar në rrafshin e rindërtimit edhe në lidhje me të bukurën. Unë vij nga samiti i NATO-s, ku i bëra thirrje të gjitha vendeve që të japin një kontribut të gjitha vendeve që të organizoj edhe një konferencë të donatorëve. Shpresoj që Evropa nuk do të na lërë vetëm. Shpresoj që politikanët të kenë të një njëjtën dëshirë si të zjarrfikësve tuaj. Nga ana e qeverisë italiane, tek kryeministri gjeta një person të cilin si politikan mund ta kish gjykuar por si njeri është me zemër të madhe”.
Ndër të tjera nga televizioni italian, kryeministri theksoi se synohet ndërtimi i lagjeve të reja por jo lagje për të varfrit.
“Kemi edhe disa ndërtesa që janë një kombinim mes lejeve abuzive. kemi disa arkitektë italianë dhe dëshirojmë të ndërtojmë një lagje te re të madhe në Durrës dhe një ose dy në Tiranë. Por jo shtëpi për të varfrit pasi ato mund të shndërrohen në geto”.
Kryeministri Rama falënderoi kryeministrin italian Conte i cili u përgjigj i pari thirrjes për ndihmë në situatën tragjike që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
“Tërmeti ndodhi në katër të mëngjesit. Unë telefonova kë munda, dhe Konte m’u përgjigj menjëherë. Grupi i parë erdhi nga Italia, shumë shpejt. I falënderoj ata që erdhën nga Mbrojtja Civile, sepse janë heronj. Rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerë.”