Respektimi i traktateve nuk e pengon Egjiptin të përdorë “të gjithë skenarët për të mbrojtur sigurinë e tij kombëtare dhe të drejtat historike të palestinezëve”, njoftoi sot rrjeti televiziv egjiptian Al Qahera Neës duke cituar një zyrtar të lartë, pa e përmendur emrin e tij.
Tensioni në marrëdhëniet e Egjiptit me Izraelin është rritur për shkak të operacionit ushtarak izraelit në Rafah dhe në periferi të qytetit që ndodhet në skajin jugor të Rripit të Gazës, shumë afër kufirit egjiptian.
Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje paqeje në 1979 dhe kanë bashkëpunuar ngushtë për çështjet e sigurisë prej vitesh.
Megjithatë, Kajro ka paralajmëruar se operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës mund të dëmtojnë marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Izraelit.
Ai gjithashtu thekson se operacionet në Rafah po pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare që i nevojiten dëshpërimisht popullatës së enklavës palestineze të rrethuar.
Ushtria izraelite njoftoi më 7 maj se kishte marrë nën kontroll anën palestineze të pikës kufitare në Rafah, që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin.
Burime të shërbimeve egjiptiane të sigurisë theksuan se Kajro kundërshton praninë e forcave ushtarake izraelite në vend dhe kërkon largimin e tyre.
Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, Egjipti ka shprehur shqetësimin se operacionet ushtarake izraelite mund të shtyjnë banorët e enklavës palestineze përtej kufijve të saj.