Ekspertët gjatë gjithë kohës kanë alarmuar për efektet negative ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ambientit. Sipas tyre, gjendja bëhet edhe më alarmante me kalimin e kohës, pasi faktorët që ndikojnë në ndotjen e ambientit vazhdojnë ndotjen, ndërsa nga ana tjetër, nuk ndërmerret asgjë për përmirësimin e situatës. Kështu, arrihet koncentrim gjithnjë e më i madh i elementeve ndotës në atmosferë. Profesori Dragan Gjorgjev nga Instituti për Shëndetin publik, thotë se ndotja e ajrit është vrasësi numër një nga faktorët ekologjik. Ndotja e ajrit ndikon tek të gjithë, thekson profesori Gjorgjev, sidomos tek personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës ose mushkërive, tek fëmijët, të moshuarit, si dhe tek gratë shtatzëna.
“Vdekshmëria dhe invaliditeti janë dy pasojat më të mëdha të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj ajrit të ndotur. Problemi i qyteteve tona është se ata janë të ekspozuara ndaj ndotjes me vite me radhë, kështu që nga viti në vit, bie imuniteti i popullatës”, deklaroi Dragan Gjorgjiev nga Instituti për Shëndet Publik.
Profesori Gjorgjiev thekson se në vit, ndotja e ambientit shkakton rreth 1000 vdekje në vit, si dhe rrit shanset për abort apo për lindje të parakohshme. Të dhënat statistikore flasin se në rajonin e Pollogut…
Të dhëna statistikore rreth dëmit që ka shkaktuar ndotja në Tetovë:
Sëmundjet si emfemizmi, bronhiti dhe sëmundje kronike në grup moshën nga 0-6 vjeç , në Tetovë kanë shënuar rritje prej 85,3% vetëm në vitin 2014, ndërsa krahasuar me vitin 2012 kemi rritje prej 107,1%.
Në grupmoshën nga 7-24 vjeç kemi rritje prej 26,3%, ndërsa nga viti 2012, rritja është 34,4%.
Bronhiti dhe bronhioliti akut shënon rritje prej 58% vetëm në vitin 2014 në grupmoshën 0-6, ndërsa tek grupmosha 7-24 vjeç, rritja është 96.4%.
Infeksionet akute në organet respiratore në grupmoshën 0-6 vjeç, shënojnë rritje prej 91.7% vetëm në vitin 2014, ndërsa tek grupmosha prej 7-24 vjeç, rritja është 62.6%.
Tetova në vitin 2010 kishte vetëm 1319 të sëmurë prej tipave të ndryshme të kancerit, kurse në vitin 2013 kjo shifër ishte gati se e dyfishuar, respektivisht në 2013 në Tetovë u regjistruan 2375 të sëmurë nga tipa të ndryshme të kancerit.