Gjykata e Shkupit aprovon aktpadinë për të arrestuarit në “Lagjen e Trimave”

Gjykata themelore Shkupi 1 ka aprovuar aktpadinë për “organizatë terroriste dhe terrorizëm” për rastin “Lagja e Trimave”, por nuk është kumtuar data e saktë për fillimin e procesit gjyqësor në të cilin akuzohen 29 persona.

Në kumtesën e sotme për mediat, pasi ditë më parë u mbajt senca publike për vlerësimin e padisë thuhet se Këshilli për vlerësimin e padisë ka sjellë vendim me të cilin miratohet padia dhe refuzohet ankesa e të akuzuarve.

“Pas analizës së detajizuar të dhënave të cekura në aktin e padisë i cili i është dorëzuar gjykatës si dhe të dhënave të të paditurve dhe avokatëve të tyre të dorëzuara në seancën e mbajtur publike për vlerësimin e aktpadisë dhe duke i vlerësuar faktet në të cilat bazohet padia, pranohet aktpadia ndërsa vërejtjet refuzohen si të pabaza”, thuhet në kumtesën e Gjykatës themelore Shkupi 1.

Sipas procedurave pritet që në ditët në vijim të përcaktohet këshilli gjyqësor kompetent për procesuim që më pastaj të caktohet data për mbajtjen e seancës kryesore, për çka siç thonë nga gjykata, opinioni do të informohet në kohë.

Leave a Reply