Ekzekutohet në rrugë 35-vjeçari, dyshohet hakmarrje

Vëllai i tij në burg për një vrasje 6 muaj më parë

Një 35-vjeçar u ekzekutua me armë mëngjesin e kësaj të hëne në këtë rrugë të fshatit Gjoçaj të Peqinit. Viktima është Albi Bashaliu. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:40, sapo viktima ka zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe.

Pak minuta më pas uniformat blu gjetën të djegur edhe një makinë e cila dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes. Në akset kryesore, u ngritën postblloqe dhe u krye krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Qershor të këtij viti vëllai i viktimës Leonard Bashaliu, u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vjet më parë dhe në debat e sipër e qëlloi me armë duke i marrë jetën. Aktualisht ai ndodhet në burg në pritje të dënimit.  

Edhe viktima e kësaj të hëne kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin.

Leave a Reply