Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, është pyetur për valën e shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në Gjermani dhe si mund të parandalohet kjo valë. Rama është shprehur se, ai e mbështet plotësisht idenë e cilësimit të Shqipërisë si një vend origjine i sigurt.
“Shumë shqiptarë që shkojnë në Gjermani vijnë kryesisht nga Greqia. Ata kanë banuar atje për vite të tëra si emigrantë dhe përpiqen tashmë në Gjermani. Natyrisht që vijnë disa edhe nga Shqipëria, Serbia ose Kosova. Këta njerëz kërkojnë më shumë. Për këtë shkak na duhet ndihmë. Ne nuk jemi magjistarë dhe nuk mund ta ndryshojmë këtë realitet, e të realizojmë gjithçka që njerëzit të ndihen mirë, nëse ata shohin në televizor dhe vënë re si jetojnë europianët në BE, nëse përdorim buxhetet tona të vogla. Cilëndo mrekulli që ne të bëjmë, ne nuk mund të realizojmë çudinë, nëse nuk ndihmohemi në mënyrë të vazhdueshme nga Europa. Europa na ndihmon neve më mirë këtu, sesa njerëzit të shkojnë atje”, është shprehur kryeministri Edi Rama.
“Der Standard” e ka pyetur kryeministrin se “sa shqiptarë largohen për shkaqe ekonomike, që kërkojnë azil në Gjermani dhe cilat reforma ekonomike po ndërmerr Shqipëria, në mënyrë që situata të përmirësohet”?
“Ne bëjmë të gjitha reformat ekonomike që janë të domosdoshme. Por, ne jetojmë në një kohë tjetër. Shpejtësia është krejt tjetër. Dhe njerëzit e rinj nuk kanë kohë të presin derisa reformat të japin rezultate. Kjo kërkon kohë. Për këtë shkak, na duhet ndihmë dhe shumë më tepër mbështetje nga BE-ja”, ka theksuar kryeministri shqiptar Rama.
Një krizë e tillë, – thotë Rama për gazëtën austriake, – nuk mund të zgjidhet vetëm nga vendet e Ballkanit.
“Në fund të fundit bëhet fjalë për të qenë strategjikë. Europa e ka humbur rrugën e saj, çka do të thoshte të qenët strategjikë. Nëse Europa do ta trajtonte Ballkanin nga një këndvështrim strategjik, atëhere paratë do të vinin”, ka deklaruar Rama. Nëse Europa vepron vetëm taktikisht, – thekson më tej kryeministri shqiptar, – mund të ndodhin përsëri gjëra të këqija.