Kosovë, qeveria shpjegon katër marrëveshjet me Serbinë

Qeveria e Kosovës ka publikuar versionin e sajë për përfitimet shtetërore nga arritja e katër marrëveshjeve në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri e cila ka bërë një përmbledhje të pikave kryesore të marrëveshjeve, ka thënë ato janë në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Duke shpjeguar marrëveshjen për telekomunikacion, Tahiri ka thënë se Kosova merr kodin telefonik shtetëror 383 nga ana e Organizatës ndërkombëtare për telekomunikacion.

Kjo marrëveshje mundëson që tani e tutje Kosova të ketë vetëm një kod, derisa të gjitha kodet ekzistuese 381, 377 dhe 386 do të kalojnë në kodin 383.

Me këtë marrëveshje, sipas Tahirit do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës më 1999.

Përfitimet ekonomike nga kjo marrëveshje llogaritet të jenë të mëdha pasi deri më tani nga mungesa e kodit telefonik, operatorët e telefonisë mobile në Kosovë kanë paguar mbi 200 milionë euro për shfrytëzim të kodeve të shteteve tjera.

Duke shpjeguar marrëveshjen për energjinë, ministrja për dialog Edita Tahiri ka thënë se Serbia është zotuar që të shuaj të gjithë operatorët e energjisë në veri të Kosovës, obligim ky të cilin e ka zvarritur që nga shtatori 2014 kur është nënshkruar plani për zbatim për energjinë.

Sipas Tahirit me këtë marrëveshje Serbia është pajtuar që Kosova të jetë shtet i barabartë me të tjerët në Rrjetin Evropian të operatorëve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike.

Marrëveshja e energjisë, sipas Tahirit i jep fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Kosovës.

Përfitimet ekonomike të Kosovës me marrëveshjen e energjisë llogaritet të jenë të mëdha, pasi sipas ministres për dialog, Serbia do të detyrohet të paguaj kompensime për shfrytëzimin e linjave transmetuese energjetike të Kosovës.

Sa i përket marrëveshjes për barrikadën mbi lumin Ibër, Tahiri ka shpjeguar se ajo do të hiqet më 15 tetor, ndërsa revitalizimi i urës që ka mbajtur të ndarë Mitrovicën që nga paslufta do të kryhet nga Bashkimi Evropian deri fund të qershorit 2016, kur edhe pritet të lëshohet për qarkullim të automjeteve.

Ndërsa duke sqaruar marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Tahiri ka thënë se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë.

Asociacioni nuk mund të marrë vendime për komunat dhe as në emër të komunave anëtare të sajë, sepse në bazë të ligjeve të Kosovës komunat kanë kompetenca ekskluzive në çështjet lokale dhe se këto kompetenca, sipas Tahirit, nuk mund të transferohen tek Asociacioni.

Me këtë marrëveshje, sipas ministres Tahiri Serbia ka pranuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të themelohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Leave a Reply