Emmanuel Macron bëri betimin për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të shtetit francez

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pallatin Elize, 44 vjeçari premtoi të forcojë Francën dhe të bashkojë vendin e tij ndjeshëm të përçarë, çka u dëshmua dhe nga numri i madh i francezëve që votuan këtë radhë për lideren e ekstremit të djathtë, Marin le Pen, teksa sfida më e ngutshme e momentit do të jetë përzgjedhja e kryeministrit të ri.

“M`u besua një mandat i ri, për veprime të vendosura për Francën dhe për Europën. Populli francez bëri një zgjedhje të qartë për të ardhmen, një zgjedhje për projektin francez dhe për atë europian, një projekt për pavarësinë në një botë të destabilizuar”, tha Macron.

Macron u bë lideri i parë francez në 20 vjet që siguroi një mandate të dytë në krye të shtetit francez, pas triumfit mbi Le Pen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në 24 prill.

Votimet në Francë u konsideruan si moment kyç  jo vetëm për këtë vend, por edhe për Bashkimin Europian. Nëse balotazhin do ta fitonte Le Pen, pritej që ajo të ndiqte një politikë të izolimit të Francës në BE, teksa insistonte që ligjet franceze të kenë prioritet ndaj atyre të BE, në të gjitha rrethanat.

Macron është shfaqur dhe ai si patriot, por mendon se bashkëpunimi ndërkombëtar e siguron më mirë paqen dhe mirëqenien e Francës. Me këtë qëndrim ai radhitet pranë të gjithë atyre që mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar në botë dhe paraqitet si një mbrojtës i projektit europian, ndonëse që ta zhvillojë BE-në sipas përfytyrimeve franceze.

Leave a Reply