Turqia kërcënon për largim nga dialogu me Greqinë
Turqia kërcënon me largim nga tryeza e diskutimeve me Greqinë. Shkak janë bërë disa deklarata ku kryeministri Mitsotakis sipas presidentit turk Erdogan ka sulmuar fqinjët.
“Mitsotakis nuk heq dorë nga sulmet ndaj nesh. Si mund të pranohet një fjalor i tillë? Si mund të ulemi në diskutime bashkë? Ti duhet që ta dish ku e ke cakun. Nëse ke qëllim që mes nesh të ketë paqe, lëri mënjanë sulmet. Mos e kalo cakun. Nuk mund të ulemi më në atë tryezë. Në Qipro janë dy shtete. Nuk ekziston vetëm pjesa greke. Doni apo nuk doni ju. Mos flisni vetëm për federatën dhe pjesën greke. Edhe qipriotët turq kanë të drejtat e tyre për burimet nënujore. Jepini fund keqtrajtimit të pjesës veriore. Nuk mund ta durojmë më këtë situatë. Duhet t’i japim fund padrejtësisë”.
Erdogan foli me gjuhë të ashpër edhe për diferencimin që bëhet mes Qipros turke dhe asaj greke.
“Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër nëse të dy pjesët e Qipros nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. E pranoni ju apo jo. Mos flisni më vetëm për federatën dhe pjesën greke. Ta harroni diçka të tillë”.
Ishulli i Qipros u nda në dy pjesë në 15 Nëntor 1983 kur pjesa veriore me anë të një referendumi shpalli republikën turke të Qipros Veriore. Që nga ajo kohë ka patur mosmarrëveshje mes popullsive ndërsa nuk është gjetur një zgjidhje.