Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të shtunën se Turqia nuk mund të lërë pas dore Azinë dhe Afrikën teksa zhvillon marrëdhëniet e saj me Evropën.
Duke iu drejtuar Forumit 12. Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifaks (HISF) të Kanadasë me një videomesazh, Erdogani theksoi se është e gabuar dhe e pamundur që Turqia, e cila është një vend Afro-Euroaziatik në aspektin gjeografik, të “burgoset” në një kornizë të ngushtë në diplomaci.
“Ne s’mund të kemi luksin që t’i kthejmë shpinën as Lindjes dhe as Perëndimit. Teksa zhvillojmë marrëdhëniet tona me Evropën, ne s’neglizhojmë as Azinë dhe as Afrikën. Bashkëpunimin tonë me Rusinë, i cili po thellohet kohëve të fundit, ne s’e shohim si alternativë të lidhjeve tona rrënjësore me Amerikën. Një rëndësi të madhe i kushtojnë veçanërisht pozicionit tonë në NATO, ku jemi anëtarë prej 68 vitesh. Kufijtë e Turqisë janë njëherësh edhe kufij të NATO-s. Sot ne marrim përgjegjësi kritike si një aleat i besuar përballë sfidave dhe kërcënimeve të reja, me të cilat përballet NATO-ja. Ne s’lejojmë që ky fakt të errësohet dhe të vihet në pikëpyetje nga motive të ngushta politike. Teksa mbrojmë të drejtat dhe interesat e vendit tonë dhe aleatëve tanë, është e gjithashtu natyrshme që ne të presim të njëjtën ndjeshmëri dhe frymë solidariteti nga aleatët tanë”, u shpreh kreu i shtetit turk.
Mes të tjerash, Erdogani tha se dëshiron të nënvizojë sidomos vullnetin e Turqisë për të vazhduar me përkushtim luftën e saj kundër kërcënimeve ndaj sigurisë, stabilitetit dhe paqes ndërkombëtare./TRT/