Arkivoli i heroit kombëtar Isa Boletini është vendosur këtë të hënë për homazhe në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me ceremoninë e homazheve në Prizren kanë filluar edhe manifestimet e aktivitetet e tjera për rivarrimin e tij në Boletin të Mitrovicës.
Përveç pasardhësve të Isa Boletinit, për të bërë homazhe ishin edhe kryetari i Komunës, Ramadan Muja, zyrtarë të lartë komunalë, drejtuesit e Policisë Rajonale të Prizrenit, udhëheqës të FSK-së, si dhe qyetetarë të shumtë.
Arkivoli i heroit të kombit, Isa Boletini, ishte nën përkujdesjen e Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pas përfundimit të homazheve, arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit është nisur në drejtim të fshatit Isniq në Deçan, prej nga ka prejardhjen familja Boletini, ku kanë vazhduar homazhet nga përfaqësues komunalë të Deçanit, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues politikë e qytetarë të shumtë.
Në bazë të axhendës, arkivoli i Isa Boletini do të niset të martën drejt Skënderajt, ku do të vendoset për homazhe pranë kullës së Adem Jasharit, në kompleksin e familjes Jashari. Ndërsa në orën 14:30, kortezhi do të mbërrijë në Prishtinë.
Pas kalimit nëpër sheshet kryesore, arkivoli do të vendoset për homazhe në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i paraprijë një seancë e veçantë e këtij institucioni në kujtim dhe nderim të figurës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa Boletini.
Pas përfundimit të homazheve në Parlament, arkivoli do të niset për në Mitrovicë, për manifestimin qendror, që mbahet të mërkurën në stadiumin e qytetit “Adem Jashari”, ku të pranishëm do të jenë përfaqësues të lartë të shtetit të Kosovës, Shqipërisë, e përfaqësues shqiptarë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.
Gjithë aktivitetet për rivarrimin e heroit Isa Boletini janë nën përkujdesjen e qeverisë së Kosovës.