G7, marrëveshje për “dekarbonizimin e ekonomisë”

Bisedimet e G7 në Gjermani përfunduan me një ujdi paraprake mes shtatë vendeve më të industrializuara të globit për t’u përqendruar gjithnjë e më shumë në burimet energjitike alternative dhe miqësore me mjedisin.

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë,  Britanisë së Madhe, Francës, Japonisë, Italisë dhe Kanadasë ranë dakort për nevojën për të “dekarbonizuar ekonominë botërore brenda këtij shekulli”.

Në përfundim të ditës së fundit të takimeve në një kështjellë në Bavari, kancelarja Angela Merkel tha se synimi është heqja dorë nga burimet energjitike që ndosin mjedisin deri në fund të këtij shekulli.

Ambientalistët e cilësuan ujdinë si shpresëdhënëse dhe besojnë se në samitin e Parisit, që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti, të dilet me një plan konkret për dekarbonizimin e plotë të ekonomisë.

Si organizatore e samitit, Angela Merkel tha se vendet më të indutrializuara u zotuan për të ngritur një fond vjetor prej 100 miliardë dollarë falë kontributeve nga financat publike, por edhe prej donatorëve privatë prej 2020. Këto para do të shërbejnë për financimin e burimeve energjitike me ndikim thuajse zero në mjedis, si dhe për zbutjen e ndikimit të ndotjes së shkaktuar nga burimet tradicionale, si nafta, qymyri, gazi e të tjera.

Shoqatat dhe aktivistët kundër varfërisë e pritën me më pak gëzim lajmin. Ata besojnë se një marrëveshje e tillë do të ndikonte tërthorazi në zhvillimin ekonomik, e për pasojë edhe rritjen e mirëqënies në shumë vende të varfëra, sidomos në Afrikë.

Për t’u përballur me këtë, kancelarja gjermane njoftoi se shtatë vendet më të industrializuara firmosën një nismë për të luftuar së bashku varfërinë ekstreme, urinë, me objektiv reduktimin me 500 milion të personave që mezi sigurojnë bukën e gojës, dhe për përmirësimin e reagimit ndaj epidemive të ndryshme.

Marrëveshja është përshëndetur edhe nga Fondi Europian i Klimës, që e vlerëson një hap historik drejt përfundimit të epokës së energjisë së siguruar nga ato që njihen si “burime fosile” dhe një bazë e shëndetshme për të dalë me një plan afatgjatë konkret në samitin e Parisit.

Leave a Reply