Deklaratat e presidenti Macron se Bashkimi Evropian duhet t’i japë një perspektivë të qartë evropiane shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë gjetur përkrahjen e eurodeputetëve.
Ilhan Kyuchyuk: Zoti president, antarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor do të ishte investimi më i mirë në shërbim të interesave tona të sigurisë. Siç ju deklaruat, këto shtete janë gjeografikisht dhe historikisht pjesë e jona, ndaj unë mendoj se ato e meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane.
Zeljana Zovko: Zgjerimi i BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor është kryesisht një sfidë sigurie. Nëse kjo zonë u lihet vendeve të treta që kërkojnë pozicionin dhe interesin e tyre strategjik, atëherë do e lënë Bashkimin Evropian të ekspozuar ndaj shqetësimeve të sigurisë. Fakti që ju theksuat se Evropa e Bashkuar duhet të reformohet më parë për të vazhduar zgjerimin tregon se ky proces nuk do të ndodhë kaq shpejt.
Tonino Picula: Presidenti Macron është i vetëdijshëm se nëse Bashkimi Evropian nuk mbush një vakum të krijuar në atë rajon, dikush tjetër do ta mbushë atë. Ne po shohim që Rusia, Kina dhe Turqia po shtojnë prezencën ekonomike.
Macron përsëriti ambicien e tij për të qenë një lider që do të ndikojë fuqimisht në të ardhmen e Bashkimit Evropian. Nga ana tjeter eurodeputetët shprehën shqetësimin se në rast se Macron nuk rizgjidhet në muajin Prill do të jetë një kthesë e madhe në politikën franceze ndaj Evropës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor.