Eurojust: Grupi i Durrësit trafikoi 1800 kg drogë

“Goditje e madhe kundër rrjetit italo-shqiptar”

Eurojust, institucioni që koordinoi punën e përbashkët hetimore të SPAK dhe prokurorisë italiane, e konsideroi finalizimin e operacionit me 52 masa sigurimi, si një goditje të madhe kundër rrjetit italo-shqiptar të trafikut të drogës.

Me anë të një njoftimi për mediat, Eurojust sqaron se të dhënat hetimore tregojnë për ekzistencën e këtyre grupeve që prej vitit 2016. Në 40 rastet e dokumentuara nga autoritetet janë arritur të trafikohen për në tregun italian dhe jo vetëm, 1800 kg kokainë e heroinë.

Hetimet për këtë dosje vijojnë, teksa në kërkim vijojnë të jenë 10 nga anëtarët e identifikuar disa prej tyre edhe në role drejtuese.

Këtë të enjte, dy nga personat që u vunë në pranga për llogari të vendimit të lëshuar nga Gjykata e Barit për të njëjtën dosje, Akil Nderjaku dhe Ervis Deti, u lanë në burg me një afat 40 ditor në pritje të ekstradimit.

Pjesa tjetër, përfshirë një avokat dhe ish-efektivin e policisë të arrestuar për llogari të Gjykatës së Posaçme, do të dalin të premten në orën 10:30 për verifikimin e masës së sigurisë.

Leave a Reply