Europa përshëndet fitoren e Mark Carney! Von der Leyen: Lidhja me Kanadanë do të bëhet më e fortë

Mark Carney është zgjedhur Kryeministër i ri i Kanadasë pas një fitoreje të rëndësishme në zgjedhjet e mbajtura të hënën, duke mposhtur liderin konservator Pierre Poilievre. Pas fitores, reagimet nga liderët europianë nuk kanë munguar, duke e cilësuar zgjedhjen e Carney si një sinjal pozitiv për bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht në kohën e tensioneve me SHBA-në nën presidencën e Donald Trump.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e përgëzoi Carney-n dhe Partinë Liberale për fitoren, duke theksuar se marrëdhëniet mes Europës dhe Kanadasë janë të forta dhe në rritje.

Pres me padurim të punoj ngushtë me Kryeministrin Carney, si në kuadër bilateral, ashtu edhe brenda G7-ës. Do të mbrojmë vlerat demokratike të përbashkëta, do të promovojmë multilateralizmin dhe tregtinë e lirë e të ndershme,” tha ajo.

Edhe Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, nënvizoi rëndësinë e aleancës mes BE-së dhe Kanadasë. “Jemi aleatë dhe partnerë të fortë tregtarë. Ndajmë vlera të përbashkëta dhe angazhimin ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla,” tha ai.

Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, gjithashtu shprehu urime, duke theksuar lidhjet historike mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fusha si tregtia, siguria dhe mbrojtja. Ai shtoi se pret ta mirëpresë Carney-n në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Hagë më 24 dhe 25 qershor.

Nga SHBA, ish-Presidenti Joe Biden përshëndeti zgjedhjen e Carney si një udhëheqës të fortë që përfaqëson vlerat e përbashkëta mes Kanadasë dhe Amerikës.

Fushata e Carney-t ishte ndërtuar mbi premtimin për të “mbrojtur Kanadanë nga ndikimi i Trump-it”, pas deklaratave provokuese të presidentit amerikan që sugjeronin mundësinë që Kanadaja të bëhej “shteti i 51-të i SHBA-së”. Në fjalimin pas fitores, Carney mbajti një ton të ashpër ndaj Trump-it, duke thënë: “Amerika dëshiron tokën tonë, burimet, ujin dhe vetë vendin tonë. Këto nuk janë kërcënime boshe. Trump po përpiqet të na thyejë që Amerika të na përvetësojë. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë.”

Fitorja e Mark Carney konsiderohet si një pikë kthese në politikën kanadeze dhe një forcim i aksit demokratik transatlantik përballë tensioneve globale.

Leave a Reply