Në ditën që filloi punën, ligji i Vettingut kaloi sërish provën e Gjykatës Kushtetuese.
Por, pika më delikate që Unioni ankimoi në Kushtetuese lidhej me kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë. Vettingu përfshin në verifikim lidhjet e gjyqtarëve apo prokurorëve “me persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar” sipas “informacioneve konfidenciale” pa një vendim të formës së prerë.
Shqetësimi i Unionit ishte se kjo mund të çonte në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut, që do të bashkëpunojë në këtë proces me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, prej nga mund të vijnë informacione konfidenciale që partnerët kanë për krimin e organizuar, si foto, video apo biseda.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë pretendimin e gjyqtarëve për kontrollin e figurës duke lënë të pandryshuar ligjin e Vettingut, i cili sapo ka nisur të zbatohet dhe duke regjistruar kështu fitoren e fundit ligjore të Vettingut, pikërisht ditën kur organet e tij filluan punë zyrtarisht.