Vetëvendosje dërgon në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Thaçit për Avdullah Hotin

Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kryeministër.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se kjo parti politike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë aktgjykimin në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi.

“Me këtë dekret, ne vlerësojmë që presidenti ka shkelur kushtetutën”, tha Selimi. Sipas tij, dekreti i presidentit është bërë publik pak para 1 Majit dhe vikendit, në përpjekje që Kuvendi të formojë qeverinë e re, në mënyrë jokushtetuese, gjatë ditëve të festës dhe fundjaves.

“Ne presim vendim të drejtë të Kushtetueses dhe nuk jemi këtu të paragjykojmë”, theksoi deputeti Selimi.

Kurse deputetja Arbërie Nagavci, po nga Vetëvendosje, tha se i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese që deri në marrjen e vendimit, të pezullohen të gjitha procedurat rreth zgjedhjes së qeverisë së re.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit Arben Gashi, ka deponuar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të shtunën, në ora 13:00, me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e qeverisë së re.

Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.

“Në ditët në vijim, një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e kuvendit dhe zotimi që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë Thaçi./ REL

Leave a Reply