FMN: Inteligjenca artificiale do të godasë 40% të vendeve të punës dhe do të rrisë pabarazinë

Në një analizë të detajuar të Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se inteligjenca artificiale do të prekë gati 40% të të gjitha vendeve të punës. Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva ka deklaruar se në shumicën e skenarëve, inteligjenca artificiale, ka të ngjarë të rrisë pabarazinë e përgjithshme.

“Është thelbësore që vendet të krijojnë rrjete gjithëpërfshirëse të sigurisë sociale dhe të ofrojnë programe rikualifikimi për punëtorët e cenueshëm. Duke bërë këtë, ne mund ta bëjmë tranzicionin e inteligjencës artificiale më gjithëpërfshirës, ​​duke mbrojtur mjetet e jetesës dhe duke frenuar pabarazinë”, deklaroi Georgieva.

Gjatë fjalës së saj, Georgieva ju bëri thirrje politikëbërësve që të adresojnë prirjen shqetësuese për të parandaluar teknologjinë nga nxitja e mëtejshme e tensioneve sociale. Referuar analizës, FMN thotë se inteligjenca artificiale ka të ngjarë të ndikojë në një përqindje më të madhe të vendeve të punës në ekonomitë e përparuara, në rreth 60%.

Në gjysmën e këtyre rasteve, punëtorët mund të presin të përfitojnë nga integrimi i inteligjencës artificiale, i cili do të rrisë produktivitetin e tyre. Në raste të tjera, inteligjenca artificiale do të ketë aftësinë për të kryer detyra kyçe që aktualisht ekzekutohen nga njerëzit. Kjo mund të ulë kërkesën për punë, duke ndikuar në pagat dhe madje duke zhdukur vendet e punës.

Ndërkohë, FMN-ja projekton se teknologjia do të prekë vetëm 26% të vendeve të punës në vendet me të ardhura të ulëta.

“Shumë nga këto vende nuk kanë infrastrukturë ose fuqi punëtore të aftë për të shfrytëzuar përfitimet e inteligjencës artificiale, duke rritur rrezikun që me kalimin e kohës, teknologjia mund të përkeqësojë pabarazinë midis kombeve”, tha drejtoresha e FMN-së.

Analiza e FMN-së vjen ndërsa liderët globalë të biznesit dhe politikës mblidhen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ku inteligjenca artificiale është një temë diskutimi, pas rritjes së përdorimit të aplikacioneve si ChatGPT.

Leave a Reply