FMN miraton fondin për Kosovën prej 56.5 milionë $ për luftën ndaj COVID-19

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka miratuar një mbështetje emergjente prej 56.5 milionë dollarësh për Republikën e Kosovës si ndihmë për të luftuar pandeminë COVID-19, raporton Gazeta Express.

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar 41.3 milionë SDR (rreth 56.5 milionë dollarë amerikanë ose 51.6 milionë euro, 50 për qind të kuotës) në mbështetje emergjente për Republikën e Kosovës në kuadër të Instrumentit për financim të shpejtë (RFI) për t’i përmbushur kërkesat urgjente të bilancit të pagesave që rrjedhin nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.

Instrumenti RFI mundëson ndihmë të shpejtë dhe me qasje të ulët financiare për vendet anëtare që përballen me nevojë urgjente të bilancit të pagesave, pa pasur nevojë për program të plotë ose rishikime ekonomike. Ai mund të sigurojë mbështetje për të përmbushur një game të gjerë të nevojave urgjente, duke përfshirë ato që rrjedhin nga tronditjet e mëdha të çmimeve të mallrave, katastrofat natyrore, konfliktet dhe situatat pas konfliktit.

Ndihma financiare sipas RFI sigurohet në formën e blerjes së drejtpërdrejtë. Pandemia e COVID-19 dhe masat e ndërmarra për kontrollimin e saj kanë dobësuar rëndë perspektiven ekonomike të Kosovës. Ekonomia pritet të tkurret për 5 për qind në vitin 2020 pasi të hyrat nga turizmi, remitancat, eksportet e mallrave dhe IHD-të do të ulen si pasojë e kufizimeve të udhëtimit dhe efektit të COVID-19 te partnerët tregtarë dhe shtetet prej nga vijnë remitancat e diasporës. Perspektiva e përkeqësuar ekonomike pritet të rezultojë në hendeqe të financimit të jashtëm dhe atë fiskal.

Reagimi i autoriteteve përmes politikave ndaj këtyre goditjeve është bërë në kohë dhe përshtatshëm, me një zbutje të përkohshme të politikave fiskale dhe financiare. Veprimet fiskale të deritanishme synojnë sektorët më të prekur nga tronditja dhe kanë për qëllim mbështetjen e shpenzimeve sociale dhe shëndetësore.

Pas diskutimeve në Bordin Ekzekutiv, z. Tao Zhang, Zëvendësdrejtor Menaxhues dhe Ushtrues i Detyrës së Kryesuesit ka thënë se “Pandemia globale COVID-19 ka pasur ndikim negativ në Kosovë, duke krijuar një nevojë urgjente të bilancit të pagesave. Nga jashtë, kufizimet e udhëtimit dhe recesioni global kanë goditur rëndë turizmin, eksportin e mallrave, remitencat dhe IHD-të. Brenda vendit, rritja e  2 paqartësisë dhe kufizimet e lëvizjes kanë ndërprerë furnizimin dhe kufizojnë edhe më tej kërkesën.”

“Në përgjigje të pandemisë COVID-19, autoritetet reaguan shpejtë dhe vendosën masa të rrepta të përmbajtjes dhe zbutjes për të siguruar lehtësira për bizneset dhe familjet më të prekura, si dhe krijuan hapësirë në buxhet për rritje të e shpenzimeve shëndetësore. Banka Qendrore e Kosovës ka mundësuar pezullimin e pagesave të kredive deri në fund të prillit për sektorët dhe individët më të prekur nga kriza.”

“Si rrjedhojë e këtyre masave, deficiti buxhetor pritet të zgjerohet dhe me gjasë edhe borxhi do të rritet. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë të jenë të përkushtuara për stabilitet makroekonomik; për aq kohë sa këto masa janë të përkohshme dhe rregulli fiskal rivendoset pas tërheqjes së pandemisë, borxhi publik pritet të mbetet i qëndrueshëm.”

“FMN është e gatshme të mbështesë Kosovën në luftën kundër kësaj pandemie dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj.”

Leave a Reply