Ish-Kryeministri Sali Berisha do ta vijojë turin e tij të foltores në qytetin e Durrësit. Takimi i radhës do të zhvillohet të mërkurën pasdite.
“Ditën e mërkurë më datën 29 Shtator në ora 18:00 në sallën e Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu në Durrës do mbahet “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Ftoj demokratët dhe demokratët e Durrësit të marrin pjesë. Vetëm të bashkuar fitojmë!”, njoftoi Berisha në një postim në rrjetet sociale.
Ky do jetë takimi i katërt që ish-Kryeministri do të zhvillojë me bazën e Partisë Demokratike, pas tre tubimeve të para që zhvilloi në Tiranë, Fier dhe Vlorë.
Berisha ka kundërshtuar vendimin e Bashës për largimin e tij nga grupi parlamentar, duke e konsideruar atë “thikë pas shpine”, ndërsa ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.