Një emigrant nga Kameruni pretendon se rojet bregdetare greke e hodhën atë dhe dy persona të tjerë në ujë dhe i lanë të vdisnin. I riu rrëfeu se dy të tjerët u mbytën ndërsa ai arriti mes shumë vështirësish të dilte në breg. Kamerunasi i identifikuar vetëm me inicialet I.O ka rrëfyer se në 14 shtator, një grup prej 36 personash arritën me varkë ne ishullin e Samos.
28 prej tyre më vonë u kapën nga forcat greke të sigurisë, por I.O dhe 7 të tjerë arritën të largoheshin. “Nisën të shtinin drejt nesh. U ndamë në dy grupe dhe hymë në një pyll. Erdhëm rrotull atje për rreth një orë por, na kapën. Nisën të na godisnin e të na kontrollonin. Na morën telefonat dhe paratë, na hodhën në makinat e tyre e na thanë të mos shikonim jashtë dritares. Asnjë s`duhet të ngrinte kokën. Na kapën si të ishim kafshë e na hodhën në anijen e tyre. edhe aty na rrahën”, ka rrëfyer ai. I riu tregoi më tej se lëvizën me anije dhe ndaluan kur ishin larg nga bregu. “Morën motrën time, Aliya dhe e hodhën në det.
Pastaj hodhën dhe Yusufin. Unë rezistova dhe me goditën me grushta në kokë. Kur s`kisha më fuqi të luftoja, më hodhën dhe mua”, vazhdon emigrant, i cili e kishte parë shokun e tij të mbytej
Rojet bregdetare turke gjetën në 18 shtator trupin e pajetë të një klandestini nga Cameroni në Aydin, në perëndim të Turqisë, dhe një trup tjetër u zbulua në 20 shtator. I.O konfirmoi identitetin e të dyve.
Ngjarja vjen në një kohë kur janë shtuar ndjeshëm kritikat ndaj Athinës për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm. Disa ditë më parë sakaq, Oxfami e quajti “të pamoralshëm” trajtimin që grekët po i bëjnë refugjatëve afganë duke thënë se atyre po u mohohet ndihma bazike dhe po hidhen në një tjetër kaos pas atij që lanë pas.