Bardh Frangu: BOTIMI PA KRITER I FATUROHET INJORANCËS QË KA KAPUR INSTITUCIONET

Për HJEZA-n flet Bardh Frangu, shkrimtar

Bardh Frangu (1956) është poet, prozator, dramaturg dhe publicist. Ka mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar veprat: “Ora e shtëpisë”, “Kohë të kauçukta”, “Fluturimi dhe rënia e Ben Balës”, “Laviret e duan atdheun më shumë” etj. Merret edhe me kritikë letrare dhe teatrore.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

FRANGU: Tani kur kemi më shumë shkrimtarë se lexues, mund të flasim për një letërsi e cila po kalon nëpër një krizë të thellë vlerash. Botimi pa kriter i librave, e vështirëson shumë identifikimin e atyre shkrimeve që kanë merituar të futen mes kopertinave, për më tepër kur të gjitha i ke të ekspozuara në një tezgë. Botimi pa kriter i faturohet injorancës dhe mediokritetit që ka kapur institucionet. Në këtë të keqe të madhe i mirë është fakti se gjithnjë e më shumë po ka përkthime nga letërsia e huaj, e cila në një masë edhe ka rrëmbyer numrin edhe ashtu të vogël të lexuesve tanë. Sigurisht që shumica e këtyre përkthimeve nuk janë në nivelin e dëshirueshëm, por megjithatë është mirë që kemi mundësi të komunikojmë me vlerat e identifikueshme në botë. Tani gjithnjë e më shumë po rritet numri i atyre që këto vepra i lexojnë në origjinal, kryesisht në gjuhën angleze, e cila gjithnjë e më shumë po e shtyn në margjina gjuhën shqipe, për të cilën nuk kujdeset kush. Kështu numër i madh i nobelistëve edhe është përkthyer dhe vazhdon të përkthehet.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

FRANGU:Pas viteve nëntëdhjetë, fryma iluministe që ekzistonte ndër ne u shua si bryma pas daljes së diellit. Flas për Kosovën, por kjo sikur vlen edhe për hapësirën shqiptare në përgjithësi. Ndërsa në Shqipëri, pas rënies së diktaturës ishte e natyrshme që të kemi një rizbulim të autorëve të persekutuar dhe të ndaluar, sado që pa ndonjë kriter, në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut kemi të bëjmë me logjikën e partisë shtet, e cila ka ndërtuar krijuesit e vet nga radhët e ushtrisë së madhe të injorancës dhe mediokritetit. Duke qenë se në të gjitha hapësirat shqiptare nuk funksionon interesi publik, individë dhe grupe të rreshtuara pranë pushtetit kanë shfrytëzuar institucionet për të promovuar veten edhe si krijues. Nuk kemi kritikë letrarë që të trajtojnë ndonjë vepër pse ajo shënon vlera, kemi të ashtuquajtur kritikë që shkruajnë për autorët e grupeve të tyre. Madje, duke qenë se këto grupe bashkë me institucionet kanë kapur edhe mediat, mund të shihni se në çfarë niveli i ngrehin autorët që tashmë kanë kontaminuar jetën tonë letrare. Njoh disa autorë, që duke shfrytëzuar këto instrumente dhe instrumente të tjera korruptive të jenë më të përkthyer se vetë Ismail Kadare, shkrimtari ynë më i mirë! Prandaj, problemi ynë është me pamundësinë e identifikimit të vlerave, nëpërmjet të cilave do të ndërtonim edhe sistemin e tyre. Shikoni gjithë këto antologji që botohen, gjithë këto manifestime letrare që organizohen vetëm e vetëm për të afirmuar ata që përnjëmend jo që nuk janë krijues të mirë, por nuk janë as lexues të mirë.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

FRANGU: Jo, sigurisht. Po marr një shembull këtu. Derisa redaktoja faqet kulturës në të përditshmen “Zëri” të Prishtinës, më erdhi një shkrim për një roman të një autori tonë. Autor i shkrimit ishte një akademik, i cili kishte përfolur përmbajtjen e romanit. Edhe pse nuk plotësonte asnjë kriter për botim, pas një redaktimi të ashpër që i bëra, ia botova, krejt kjo për faktin që lexuesi të shoh se në çfarë derexhe jemi. Mediat tona tash kulturën e kanë në plan të dytë, nuk i kushtojnë as minimumin e vëmendjes. Ti mund të punosh një recension a një analizë serioze për ndonjë libër, por kjo nuk të paguhet, madje as nuk të sjell ndonjë falënderim. Janë sekserët të lidhur me autorët dhe shtëpitë botuese që shkruajnë për librat sa për të thënë. Mendoj se ne tash jemi nën nivelin amator, jemi në llomin e injorancës që ka mbërthyer gjithçka.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

FRANGU: Vështirë të bëhen punë të mira pa mbështetje institucionale. Ndërsa një mandat isha anëtar i Këshillit të Librit në kuadër të Ministrisë së Kulturës të Kosovës, kam mbetur shumë i dëshpëruar edhe me shtëpitë botuese, të cilat në numër të konsiderueshëm konkurronin me autorë që nuk ia vlente të harxhohej letër për ta. Për më keq, librat e tyre pastaj shpërndaheshin nëpër bibliotekat shkollore, për t’i shndërruar në depo ato. Libri i keq helmon. Është keq që Këshilli i Librit nuk ndanë mjete edhe për gazetat dhe revistat elektronike, por vetëm për ato të shkruara. Shoh disa portale që janë më të përkushtuara për krijimin e hapësirave krijuesve letrar, madje të cilat edhe kanë një kriter, prandaj kjo do të duhej të merrej në konsideratë. Ndryshe, nuk kemi ndonjë projekt, i cili do të synonte krijimin e një hapësire për të gjithë krijuesit shqiptarë. Në këtë kuptim kemi një qasje shumë të fragmentarizuar. Shoh nëpër manifestimet letrare në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ku kryesisht marrin pjesë krijues nga Shqipëria, të cilët mund të vlerësohen si të dorës së dytë apo të tretë, madje të tillë që nuk e meritojnë as epitetin e krijuesit. Ndoshta e gjithë kjo është pasojë e faktit se në botën tonë letrare po zbresin krijues nga bota virtuale që gjithnjë e më shumë po i pushtojnë këto hapësira, për të cilat më së miri është shprehur Umberto Eko.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergameneve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

FRANGU: Sigurisht që bota tani është futur në një çip. Libri elektronik është një pasuri e madhe. Më ka qëlluar që brenda nate ta lexoj një libër të tërë, por nuk besoj që libri elektronik mund ta nxjerr në margjina librin e shtypur. Për bindjen time libri elektronik është një si reproduktim i një pikture të punuar në vaj. Një dashamiri serioz të artit nuk do t’i pëlqenin reproduktimet. Fundi i fundit, vetë libri i shtypur është një vepër artistike, sepse ka kopertinat dhe dizajnin që e bëjnë të tillë. Mbase kam lexuar një autor, emri i të cilit nuk po më kujtohet, i cili kur flet për këtë temë, merr shembull prodhimin e veturave, të cilat do të duhej t’i hidhnin nga përdorimi biçikletat, por megjithatë ka ndodhur e kundërta, numri i biçikletave veç sa është shtuar. Besoj që fatin e biçikletave do ta ketë edhe libri i shtypur.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm!

FRANGU: Sigurisht që mungesa e tyre është handikap, njësoj siç është edhe mungesa e atyre që do të shkruanin për hatër të librave e jo për hatër të autorëve, gjë e cila është e dukshme ndër ne. Edhe vetë herë pas here shkruaj për ndonjë libër të mirë, por fakti që kjo është një punë që nuk paguhet, nuk të motivon që të jesh më aktiv në këtë fushë. Sigurisht që konkurrenca për të pasur një revistë të shtypur a elektronike në nivel të kënaqshëm, e cila do të identifikohej si identifikuese e vlerave letrare do të motivonte më shumë edhe autorët që merren me kritikën letrare.

Leave a Reply