Një numër i madh armësh është zhdukur në ushtrinë gjermane.
Fillimisht, nuk ishte ende e qartë nëse kjo erdhi si rezultat i ndonjë gabimi në inventar apo nëse anëtarët e njësisë së forcave special, KSK i kanë marrë ato me qëllim, ç’ka do të përbënte vepër penale. Kreu i saj, Gjeneral Brigade Markus Kreitmayr ofroi një mundësi të padëgjuar në fillim të vitit të kaluar. Ai u tha trupave se mund të kthejnë çdo armë dhe municion të marrë pa leje, në mënyrë anonime dhe pa frikë nga pasojat. Oferta e Kreitmayrit u prit mirë. Të paktën 25.000 fishekë e municione u kthyen në mënyrë anonime midis marsit dhe majit 2020, sipas Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut, i cili ishte informuar vetëm kohët e fundit në lidhje me nismën. U kthyen edhe granata dore.
KSK është forca e shpejtë e reagimit të Bundeswehr, e ngarkuar për shpëtimin e pengjeve dhe luftën kundër terrorizmit jashtë kufijve. Me qendër në Gjermaninë jugperëndimore, ka qenë nën vëzhgim nga afër që kur dolën në dritë vitin e kaluar incidentet e ekstremizmit të djathtë të dyshuar. Ushtarët që bënin përshëndetjen e Hitlerit dhe më pas armët që u zhdukën ishin pika e fundit për ministren gjermane të mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo ngriti një grup pune për të shqyrtuar operacionet e KSK dhe për të paraqitur reforma. Një nga degët e saj u shpërbë tërësisht.
Një hetim pritet të përfundojë deri në verë dhe KSK ekziston “me kusht” deri atëherë, ka thënë Kramp-Karrenbauer. Ajo ka premtuar një shpjegim transparent të asaj që ka ndodhur. Por tani duket se programi i diskutueshëm i amnistisë për kthimin e armëve, mund të jetë fshehur dhe armët e zhdukura nuk u përmendën as në një raport paraprak mbi reformën e KSK, ku u fol për “gabime në kontabilitet” dhe “gabime numërimi”. Me sa duket thonë mediat vendase, as ministria nuk dinte gjë për një kohë të gjatë.