Franca dërgon ekip ushtarak në Ukrainë për të mbledhur prova të “krimeve të luftës”

Sipas lajmeve në mediat kombëtare, sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme dhe Drejtësisë franceze, një ekip u dërgua në Ukrainë për të parandaluar mosndëshkimin e akteve që përbëjnë “krime lufte” pas vrasjes së civilëve rreth rajonit të kryeqytetit Kiev.

Në deklaratë thuhet se ekipi, i përbërë nga dy mjekë të mjekësisë ligjore dhe 15 pjesëtarë nga Instituti Kombëtar i Xhandarmërisë për Kërkime të Krimit (IRCGN), të cilët janë ekspertë të skenës së krimit do të ndihmojnë autoritetet ukrainase dhe ndërkombëtare në ofrimin e mbështetjes konkrete në hetimin e masakrave dhe në identifikimin dhe mbledhjen e provave.

Në deklaratë, thuhet se ekipi i ekspertëve në mbledhjen e ADN-së dhe identifikimin e gjurmëve të gishtave do të krijojë një sistem ekzaminimi dhe se ekipi mund të kontribuojë gjithashtu në hetimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale në marrëveshje me autoritetet ukrainase.

Ambasadori i Francës në Kiev, Etienne de Poncins, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter tha se ishte krenar të mirëpriste ekipin që mbërriti në Lviv të Ukrainës dhe se Franca është vendi i parë që ofroi një ndihmë të tillë dhe ekipi do të fillojë të punojë menjëherë.

Ministria ruse e Mbrojtjes argumentoi se ekipi i dërguar nga Franca “nuk mund të kryente një hetim të paanshëm”.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Irina Venicetova, në një deklaratë për Sky News tha se, 1.222 trupa civile u gjetën vetëm rreth Kievit, dhe në të gjithë Ukrainën u kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në deklaratën e bërë nga Prokuroria Kombëtare e Antiterrorizmit e Francës (PNAT), bëhet e ditur se në Ukrainë janë nisur tre hetime për të shqyrtuar krimet e mundshme të luftës kundër shtetasve francezë.

PNAT më 16 mars hapi një hetim për “krime lufte” pas vrasjes së gazetarit franko-irlandez Pierre Zakrzewski më 14 mars.

Leave a Reply