Pavarësisht protestave që kanë nisur kundër vaksinimit në Francë, Parlamenti miratoi ligjin që i bën vaksinat kundër koronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe zgjeron listën e vendeve që kërkojnë leje shëndetësore.
Sipas ligjit bluzave të bardha u jepet kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen, në të kundërt rrezikojnë pezullimin nga puna.
Ndërsa muaji gusht është edhe afati i hyrjes në fuqi të ndryshimeve të bëra në lejen shëndetësore, gjithnjë nëse do të miratohen nga Gjykata Kushtetuese.
Leja tregon se njerëzit janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë shëruar prej tij ose kanë rezultuar negativë gjatë testimit.
Në këtë mënyrë të gjithë francezët dhe vizitorët e huaj në Francë duhet të jenë të pajisur me një leje shëndetësore për të hyrë në restorant, qendra tregtare, festivale, kinema ose për të udhëtuar me tren brenda vendit.
Vendimi i marrë nga Presidenti francez Macron të martën erdhi për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve nga varianti Delta, që çoi në 22,000 infektime ditore nga 4,000, që ishin në fillim të korrikut. Shtrimet në spital janë po ashtu në rritje.
Më pak se 50 përqind e popullsisë së Francës është e vaksinuar plotësisht. Por sipas autoriteteve franceze kjo shifër është ende larg pragut që mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së koronavirusit.