Virologu gjerman: Imunizimi masiv kthen infektimet në normalitet
Pandemia është në fazat e saj të fundit dhe globi mund të çlirohet prej saj vitin e ardhshëm. Përfundimin shpresëdhënës e jep virologu gjerman Klaus Shtyr, pjesë e ekipeve të OBSH-së për koronavirusin, i cili bashkohet me mendimin e atij grupi ekspertësh që thonë se imunizimi masiv redukton dëmet e Covid-19 në shëndet.
Në një intervistë për shtypin gjerman, virologu Shtyr shpjegon mekanizmin se si deri në verën e ardhshme, infektimet me Covid-19 në Gjermani do të kthehen në normalitet.
“Në Gjermani, situata po lehtësohet pasi ka gjithnjë e më pak të pavaksinuar ose që nuk e kanë kaluar infektimin. Pas këtij dimri, kjo kategori do të jetë në kuotat 5-10%. Në nisje të vitit tjetër, do të shohim një lehtësim drastik të situatës. Më pas pandemia do të ketë kaluar”.
Për vendet me ritme të ulëta vaksinimi, Shtyr parashikon një fund pandemie me më tepër dëme.
“Që tani në vendet me nivele të ulëta ose që nuk kanë akses në procesin e vaksinimit, fundi i pandemisë mund të arrihet përmes niveleve të larta të infektimeve që po kalojnë, që për fat të keq shkaktojnë edhe dëme më të mëdha”.
Megjithatë, grupe të ndryshëm ekspertësh nuk përjashtojnë mundësinë e qarkullimit të mutacioneve më të ashpër se të deritanishmit, të cilët mund edhe të zerojnë fuqinë e imunitetit të krijuar deri më tani ndaj Covid-19.