Të paktën prej 5 ditësh, 40 nxënës të një shkolle fillore në Fushë Bulqizë kanë mbetur pa mësim. Shkak i ndërprerjes së procesit është bërë shembja e murit të shkollës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës që lamë pas, kur në shkollë nuk kishte nxënës. Prindërit e tyre shprehen të shqetësuar për fëmijet që mësojnë në këtë shkollë, pasi janë të rrezikuar për shkak të amortizimit të godinës.
Shembja e murit të kësaj shkolle nuk ndodh për herë të parë, por është diçka e përsëritur, pasi edhe vitin e kaluar ndodhi e njëjta gjë. Edhe vetë nxënësit e shkollës ndihen të shqetësuar për gjendjen e rrënuar të saj, pasi rrezikon jetën e tyre.
Në lidhje me këtë problem, drejtoresha e Zyrës Arsimore të Bulqizës, Bedrie Manjani ka deklaruar se bashkia ka nisur punën për riparimin e shkollës dhe se nga e hëna e javës së ardhshme godina do të jetë gati për vijimin e mësimit.