Kur u pyetën se kush përbën kërcënimin më të madh për paqen botërore, gjermanët në një sondazh të fundit treguan me ngulm një person – Donald Trump.
Presidenti amerikan mundi drejtuesit e Koresë së Veriut, Rusisë, Kinës dhe Iranit.
Edhe pse Uashingtoni është një nga aleatët më të ngushtë të Gjermanisë, besimi i publikut në SHBA është gërryer ndjeshëm nën presidentin Donald Trump, tregoi një studim i ri YouGov, transmeton Telegrafi.
Gjermanët u pyetën se kush ishte më i rrezikshëm: Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, presidenti kinez Xi Jinping, udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, presidenti rus Vladimir Putin ose presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Rreth 41% e gjermanëve thanë se menduan se Trump ishte më i rrezikshmi nga pesë liderët botërorë.
Në vendin e dytë ishte Kim me 17%, pasuar nga Putin dhe Khamenei me 8%. Në të fundit ishte Xi i Kinës me 7%.
Mbi 2,000 njerëz në Gjermani morën pjesë në sondazh, i cili ishte porositur nga agjensia e lajmeve dpa.
Një sondazh i ngjashëm me YouGov u krye në korrik të vitit të kaluar, në të cilin 48% e gjermanëve të anketuar thanë se Trump ishte më i rrezikshëm se Kim dhe Putin. Megjithatë, ai sondazh nuk përfshin udhëheqësit e Iranit apo Kinës./Telegrafi/