Në Berlin do të zhvillohen këto ditë tre ministeriale me vendet e Ballkanit Perëndimor. Synimi kryesor është riaktivizimi i Procesit të Berlinit, por jo vetëm.
Çështje të sigurisë së brendshme dhe të migracionit të paligjshëm do të jenë në fokus të konferencës së parë ministrore të Ballkanit Perëndimor këtë të enjte.
Krahas ministrave të Brendshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, si Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Sllovenia, Bullgaria, Polonia, Greqia, Kroacia, si edhe Çekia, si përfaqësuese e presidencës së radhës së BE-së.
Rreth 400 imigrantë në ditë kapen nga Policia Federale gjermane duke hyrë në mënyrë të paligjshme në Gjermani, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Ekspertët dyshojnë se këtu luan një rol të madh i ashtuquajturi Itinerar i Ballkanit, por edhe politika liberale e vizave të Serbisë ndaj 25 shteteve, për qytetarët e të cilëve BE kërkon viza, prandaj gjermania po kërkon që Serbia ta ndryshojë sa më shpejt politikën e vizave.
Po në kuadër të Procesit të Berlinit, të premten do të zhvillohet, në të njëjtin format konferenca e ministrave të jashtëm. Takmi tyre ka të bëjë veçanërisht me marrjen e hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me synimin për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.”
Sipas DW shpresohet që në këtë samit të arrihet progres për Lëvizjen e lirë me karta identiteti të shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët.