Tallje me shkrimtarët

Në fokus

Shkrimtarit në RMV i duhet një dosje me dokumente vetëm për të konkurruar për Programin kulturor vjetor të Ministrisë së Kulturës. Paramendoni, i duhen një-dy recensione se nuk bën! I duhet bio-bibliografia, i duhet arsyetimi pse dëshiron ta botojë veprën! Të njëjtat dokumente i duhen edhe subjektit juridik, shtëpisë botuese, që do të konkurrojë për botimin e secilit autor, plus marrëveshja për honorar!
Po pse i duhen “dokumentet” ministrisë?! Për t’ia lehtësuar punën anëtarëve të komisionit që do të vendosin se cili libër botohet e cili jo? Për t’ua lehtësuar punën administratës që punon në njësinë e botimeve e që mund të mos i njohë shkrimtarët?!
Shkon për të konkurruar Resul Shabani, Shkëlzen Halimi, Salajdin Salihu, Lulzim Haziri apo Nurie Emërllahu, të cilët dhe mund të refuzohen, sepse nuk kanë ofruar as recension dhe as arsye (letër motivimi!!!) se pse e kanë shkruar librin apo pse dëshirojnë që të konkurrojnë me atë libër! Por, ja që këta subjekte fizike do të duhet të ofrojnë edhe kontratë me recensentin që duhet ta paguajnë! Ndryshe, nuk mund t’u besohet shkrimtarëve, ndryshe si ta dijë administrata se duhet të përkrahen librat e këtyre autorëve (dhe të tjerëve) që janë bartës të veprimtarisë letrare shqiptare në RMV? Ndryshe, mbi çka të vendosin anëtarët e jurisë që mund të jenë edhe nga ata që nuk i njohin shkrimtarët e vet dhe nuk dinë gjë për ta, pa ua lexuar bio-bibliografinë dhe të paktën një recension, të cilët në shumicën absolute të rasteve shkruhen pa i lexuar fare veprat!
Që këtu pastaj nisë tërë ai idiotizëm që institucionalisht manifestohet mbi shkrimtarët! Do me thënë se Ministria e Kulturës angazhon anëtarë jurie, të cilëve, për të vendosur për akcilin shkrimtar do t’u duhet recensione, bio-biliografi, arsyetim, dokumente shpjegues se kush është autori, a e meriton të përkrahet nga ministria apo jo!
Nëse ka vendosur një subjekt juridik që ta botojë librin e një shkrimtari, është problem i tij nëse do të humbë apo do të fitojë me të! Nëse vetë shkrimtari ia ka dhënë dorëshkrimin pa kurrfarë marrëveshje, është problem në mes të shkrimtarit-botuesit dhe këtu nuk ka se çfarë i duhet kontrata e botuesi me autorin, për më tepër kur dihet që, ministria financon honorarin e autorit dhe jo edhe shpenzimet e shtypit të botuesit, për më tepër kur tashmë ka nisur që ta publikojë edhe shumën e caktuar për autorin si dhe për botuesin! Recensionet mund t’i duhen vetëm botuesit për të ditur se çfarë po boton dhe jo edhe Ministrisë për Kulturë, siç nuk duhet “ta verifikojë” edhe bio-bibliografinë e autorëve për të cilët ajo edhe funksionon!
I njëjti problem është edhe në sferat e tjera kulturo-artistike. Tani duhet të kemi “dokumente njoftuese” mbi Sulejman Rushitin, regjisorin e mirënjohur të vendit, që të përcaktohen anëtarët e komisioneve në njësinë e dramës nëse ia vlen të përkrahet apo jo; duhet të ofrohen “dokumente njoftuese” mbi Xhabir Ahmetin nëse dëshiron që të luhet ndonjë dramë e tij në skenë, ndryshe, si “i panjohur” që mund të dalë për komisionin dhe ministrinë, do të ngelë pa përkrahje institucionale!
Pra, Ministria e Kulturës nuk dëshiron që ta ndjejë si nder që i bëhet nëse përkrah shkrimtarë të dalluar e me emër, por dëshiron që t’u bëjë zbor shkrimtarëve, t’i detyrojë për çdo vit të ofrojnë “letërnjoftimin” e tyre, ndryshe ministria nuk do t’i njohë! Kësisoj, shkrimtarët duhet të ndjehen të respektuar e të nderuar nga ministria dhe jo anasjelltas! Edhe Ismail Kadare sikur të konkurronte, edhe këtij do t’ia kërkonin të gjitha dokumentet “e nevojshme” sa për t’u tallur me të dhe sa për ta bindur se ai duhet të ndjehet i nderuar që po e përkrah ministria dhe se përkrahja e librit të tij nuk paraqet kurrfarë nderi për ministrinë! Dikush e ka menduar mirë talljen me shkrimtarë! /HEJZA/

Leave a Reply