BE pritet të vendosë sanksione të reja ekonomike ndaj Moskës
Berlini kishte kohë që hezitonte të vendoste një embargo për naftën ruse por së fundmi ekonomia më e madhe e Europës ka ndryshuar qëndrim.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kërkon që në paketën e gjashtë të sanksioneve të BE të vendoset edhe embargoja e naftës.
“Para disa javësh e dinim, se sanksionet e menjëhershme energjetike nuk mund të mbaheshin dot në fuqi më shumë se 1 muaj, por tani jemi përgatitur, pasi sanksionet kundër Rusisë mund të zgjasin edhe disa vite”, u shpreh ajo në një intervistë për televizionin e parë gjerman, “ARD”.
Arsyeja e ndryshimit të qëndrimit të Gjermanisë mendohet se qëndron në sukseset e kësaj të fundit në gjetjen e furnizuesve alternativë të naftës.
Sanksionet e reja kundër Rusisë mund të vendosen që të mërkurën e kësaj jave. Për të bindur ende vendet skeptike, parashikohet zbatimi me disa faza i sanksioneve. Kështu vendeve anëtare të BE do t’i jepen gjashtë deri në tetë muaj kohë për të diversifikuar burimet e tyre të naftës. Si vend bllokues kundër sanksioneve konsiderohet Hungaria duke qenë se kreu i qeverisë, Viktor Orban ka lidhje të afërta me Kremlinin.
Mbështetësit e embargos argumentojnë se Rusisë përmes një hapi të tillë do t’i hiqej një burim i rëndësishëm të ardhurash për financimin e luftës në Ukrainë.