Nga mëngjesi i kësaj të enjte, asnjë gjimnaz në Tiranë, por edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë nuk është hapur. Kjo menjëherë pas vendimit të një dite më parë të Komitetit të Ekspertëve, për shkak të rritjes së infektimeve të moshave nga 15-24 vjeç. Si pasojë u vendos që gjimnazet në 10 bashki në zonat me rrezikshmëri të lartë infeksionesh, të zhvillojnë mësimin online.
Mësohet se janë 215 gjimnaze private dhe publike në të 10 bashkitë, në zonat e përcaktuara nga Komiteti i Ekspertëve që kanë kthyer mësimin online, ne total 48 mijë nxënës. Pas këtij vendimi nuk ka vonuar dhe një deklaratë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar. Përfaqësues nga ky departament, Fiqiri Cifligu, shprehet se në 10 bashkitë mësimi në shkollat e mesme do të zhvillohet online sipas skenarit 3, për një periudhë 2 javore, duke nënvizuar se në këtë periudhë janari ka pasur mungesë të mësuesve në shkolla.
“Prej fillimit të pandemisë dhe deri më sot ka pasur për fat të keq disa humbje jete, që shkojnë rreth 13 mësuese në sistem që ne i kemi të regjistruar si humbje jete.”