Gjykata “rrëzon” Trumpin: Të dorëzojë deklaratat tatimore në Kongres!

Në një lëvizje të konsideruar një goditje të fortë e humbje të madhe për ish presidentin amerikan Donald Trump, Gjykata e Lartë i hapi rrugën dorëzimit të menjëhershëm të deklaratave tatimore të tij tek një komision i Kongresit, i drejtuar nga demokratët.

Vendimi i saj erdhi pas një beteje ligjore që zgjati plot tre vjet.

Gjykata zgjodhi ta rrëzonte kërkesën e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë për një urdhër që do të kishte penguar Departamentin e Thesarit të jepte deklaratat tatimore të ish presidentit dhe disa bizneseve të tij për gjashtë vjet. Ekipi ligjor i Trumpit ka vazhduar të këmbëngulë për mospublikimin e të dhënave tatimore të tij. Ai refuzoi ta bënte një gjë të tillë edhe gjatë fushatës së tij të suksesshme të vitit 2016,dhe as gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur një auditim të vazhdueshëm nga IRS (Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme).

Kjo ishte humbja e dytë e ish-presidentit në Gjykatën e Lartë në disa muaj dhe e treta këtë vit. Në tetor, gjykata refuzoi të ndërhynte në luftën ligjore për çështjem e kontrollit të FBI-së në pronën e zotit Trump në Florida, ku u zbuluan dokumente sekrete. Administrata Biden insiston se ligji federal është i qartë në përcaktimin se komisioni ka të drejtë të shqyrtojë çdo kthim të tatimpaguesve, përfshirë ato të presidentit. Javën e kaluar, Trump njoftoi se do të kandidojë sërish për president në vitin 2024.

Leave a Reply