Gjykata Speciale fton edhe një ish-ushtar të UÇK-së

Gjykata Speciale ka ftuar sot edhe një ish-ushtar të UÇK-së për intervistim. Bëhet fjalë për Avdi Ibrahimin, që ishte ish-zëvendëskomandant i Brigadës 128 i Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP), shkruan Gazeta Express.

Lajmin për ftesën e tij e ka bërë të ditur vetë Ibrahimi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook. Ai ka njoftuar se ftesën e ka pranuar sot rreth orës 14:20.

“Ndjej një obligim moral e qytetar t’ju njoftoj se sot rreth ores 14, 20 minuta kam marrur ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë të paraqitem më date 02 tetor 2019”, ka shkruar Ibrahimi.

Ibrahimi është shprehur se Gjykata Speciale është politike dhe e sajuar nga shpifjet.

“Përkundër bindjeve që kamë për këtë gjykat politike të sajuar nga shpifjet, të pavërtetat e shtetit serbë për ta njollosur luftën e pastër të UÇK-së, edhe pse unë nëpërmjet shkrimeve të cilat i kam bërë publike kam shprehur hapur kundërshtimin e kësaj gjykate të ngritur mbi bazën e raportit të Dik Martit, por që e ka miratuar Këshilli Europian”, ka shkruar Ibrahimi.

“Duke besuar në drejtësi të paanshme, do të paraqitem në kohën e caktuar në hetuesin e Gjykatë Speciale për intervistim. Jam intervistuar vite më parë, edhe dy here të tjera nga Gjykata Speciale e EULEX, dhe deklarata ime ka qenë publike, se vërtet unë nuk kamë asfarë njohurie të ketë bërë dikush nga njerëzit e UÇK-së ndonjë krim, pretendime të tilla të pabaza i kam hedhur poshtë dhe ashtu do të ndodhë edhe në rastin kur të paraqitem sërish para Gjykatës Speciale të Hagës”, ka përfunduar Ibrahimi.

https://www.facebook.com/avdi.ibrahimi/posts/2297514230325298

Gjatë ditës së sotme për në Hagë është nisur Ramush Haradinaj, kryeministër në largim dhe Jakup Krasniqi, ndërsa dy të ftuarit tjerë janë, Sokol Bashota dhe Bislim Zyerapi.

Leave a Reply