Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve depozituan në Senat akuzën ndaj ish-Presidentin Donald Trump për nxitje të sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit, gjatë fjalimit para mbështetësve të tij më 6 janar.
Nëntë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët do të shërbejnë si prokurorë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Senat, dorëzuan akuzën e shkruar duke përshkruar fillimisht të njëjtën rrugë që ndoqi turma e mbështetësve të zotit Trump ndërsa përleshej me policinë.
“Me sjelljen e tij ndërsa ishte President i Shteteve të Bashkuara, në shkelje të betimit të bërë ndaj Kushtetutës për besnikëri në zbatimin e detyrës së Presidentit, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Donald John Trump u përfshi në shkelje të rënda ligjore e kundërvajtje duke nxitur dhunë kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara“, tha Jamie Raskin, ligjvënësi demokrat i cili kryeson grupin e ligjvënësve që do të shërbejnë si prokurorë të çështjes së ngritur ndaj ish-Presidentit.
Senati pritet ta nisë gjykimin më 9 shkurt. Udhëheqësit e Senatit ranë dakord ta shtyjnë fillimin e procesit gjyqësor ndaj zotit Trump, duke i dhënë kësaj dhome më shumë kohë për t’u përqëndruar tek axhenda legjislative e Presidentit Joe Biden si dhe miratimi i anëtarëve të Kabinetit të tij përpara se të shndërrohet në një arenë debati politik rreth ish-presidentit. Ekipi mbrojtës i zotit Trump do të paraqesë një përgjigje me shkrim ndaj akuzës më 2 shkurt.
100 senatorët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë një procesi që mund të rezultojnë në skualifikimin e zotit Trump nga çdo mundësi për të kandiduar sërisht për postin e presidentit. Gjatë votimit për ngritjen e zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump më 13 janar, demokratëve iu bashkuan edhe dhjetë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve. Ngritja e akuzave nxiti reagimin e republikanëve që mbështesin zotin Trump.
“Denoncova dhunën politike që vjen nga çdo kah i politikës. Por mos gaboni, e majta në Amerikë ka nxitur shumë më shumë dhunë politike sesa e djathta. Për muaj me radhë, qytetet tona u dogjën, stacionet e policisë u dogjën, bizneset tona u shkatërruan dhe demokratët nuk thanë asgjë! Tashmë disa kanë permendur metaforën se ishte presidenti që ndezi dhunën. Por demokratët e lanë flakën dhe zjarrin të digjej…!, tha ligjvënësi republikan i Floridës Matt Gaetz.
Që Senati të marrë një vendim për fajësimin e ish-presidentit Trump, do të duhen votat e 2/3 së anëtarëve të Senatit, thënë ndryshe demokratët do të kenë nevojë për mbështetjen e 17 republikanëve të kësaj dhome, një gjë që duket e vështirë duke pasur parasysh besnikërinë e vazhdueshme ndaj zotit Trump mes bazës konservatore të votuesve të Partisë Republikane.
Zakonisht seancat gjyqësore në Senat drejtohen nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Por nisur nga fakti se procesi do të zhvillohet ndaj një ish-Presidenti, gjykimi në Senat pritet të udhëhiqet nga anëtari më jetëgjatë i kësaj dhome të Kongresit dhe ai është demokrati Patrick Leahy.
Zoti Trump është i vetmi president ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve. Tashmë ai do të jetë gjithashtu i pari që do të përballet me një gjykim në Senat pas largimit nga detyra më 20 janar. Sipas gjetjeve të një sondazhi të agjencisë Reuters dhe kompanisë Ipsos publikuar të premten një shumicë e vogël amerikanësh besojnë se zoti Trump duhet të fajësohet e të ndalohet të mbajë funksione publike. Përgjigjet ishin pothuajse tërësisht në linja partiake, me nëntë në 10 demokratë që ishin pro fajësimit të zotit Trump të dënuar dhe me më pak se dy në 10 republikanë që ishin në të njëjtën linjë. Zoti Trump ka thënë se ai mund të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale të 2024. Por fati i tij mund të varet nga kreu u republikanëve në Senat Mitch McConnell, pozicioni i të cilit ka të ngjarë të ndikojë tek republikanët e tjerë. Këtë javë zoti McConnell tha se turma që sulmoi Kapitolin ishte “ushqyer me gënjeshtra” dhe se ishte “provokuar nga presidenti e njerëz të tjerë të fuqishëm”.