Gjyqi ndaj të dyshuarve si rekrutues të ISIS-it, flasin 3 dëshmitarë

Tre persona kanë dëshmuar në seancën e radhës në gjyqin kundër 9 të akuzuarve për rekrutim të shtetasve shqiptarë në luftimet e ISIS në Siri.
I pari që ka dëshmuar është ish-bashkëshorti i Almira Kastratit, e cila aktualisht ndodhet në Siri, së bashku me fëmijët e saj të mitur.

Zamir Mani deklaroi se nuk e njihte njeriun, me të cilin ishte martuar ish-bashkëshortja e tij, por tha që kishte dëgjuar që ai quhej Adburrahim Balla, i cili njihet ndryshe si imami i xhamisë në “Unazën e re”, Genci Balla.

“Po kërkoja që të takoja tim bir, por nuk po e gjeja dot, –  tha dëshmitari. – Erdha në Tiranë, ku edhe bëra kallëzim, por në polici më thanë ta kërkoja në Kavajë. Aty mësova se Almira kishte ikur bashkë me djalin në Siri”.

Ndërkohë, dëshmitari tjetër Erzen Gashi mohoi të gjitha deklaratat e dhëna gjatë hetimeve paraprake në polici.

“Nuk njoh asnjërin prej këtyre personave, – pohoi dëshmitari. – Policia më ka kërcënuar, ndaj dhe kam thënë që i njoh”.

Por prokurorja kërkoi kundërshtimin e dëshmisë së Gashit, pasi dëshmitari ka pohuar që kishte qenë në Siri në luftime dhe se kishte kontaktuar me të pandehurit Gerti Pashja dhe Edmond Balla.

 

Leave a Reply