Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë deklaroi në Prishtinë se Athina zyrtare është duke kërkuar hapësirën dhe kohën e nevojshme për të zyrtarizuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, kryediplomati grek tha se e ka ftuar homologun e tij në Athinë për të hapur Zyrën e Kosovës.
Madje ai tha se nëse ka nevojë atë zyrë do ta lejojë edhe afër zyrës së tij në ministrinë e Jashtme të Greqisë.
“Jemi duke e mbështetur Kosovën, jemi duke bërë më të mirën për Kosovën, që të bëhet anëtare e INTERPOL-it dhe UNESCO-së dhe do ta mbështesim këtë në të gjitha mënyrat. Po ashtu jemi duke mbështetur që të krijojmë marrëdhënie politike mes BE-së dhe Kosovës dhe kurdo që nevojitet i ofrojmë Kosovës ekspertizës dhe kapacitetet tona, ashtu siç i quaj unë, përvojën tonë sa i përket bashkëpunimit dhe jemi vendi me i vjetër i BE-së në rajon. Jemi të hapur. Ndërsa, sa i përket çështjes së njohjes është se duhet t’i kemi parasysh dy kritere sa i përket kësaj çështje, njëri prej tyre është nevojat e gjithë rajonit dhe e dyta është interesi ynë kombëtarë europian. Në të ardhmen duhet të shohim se çfarë lloj aplikimi do të gjejmë për këto dy kritere”, tha Kotzias Nikolaos, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.
Kryediplomati grek po ashtu tha se popujt e Ballkanit duhet të shohin nga e ardhmja pasi sipas tij në këtë rajon prodhohet histori më shumë se mundësia për konsum të saj.
Zëvendëskryemistri kosovar, Hashim Thaçi tha se vizita e parë e një krydiplomati grek në Prishtinë është konfirmim i forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa paralajmëroi se së shpejtoi do të vizitojë Greqinë.
“Ne diskutuam me ministrin për bashkëpunimin tonë bilateral, që do të afirmohet dhe do të avancohet çdoherë e më tepër, për rolin pozitiv dhe të rëndësishëm që Greqia ka luajtur në rajon, për paqen, për stabilitetin, për bashkëpunimin mes vendeve por edhe për perspektivën euroatlantike. Do të kemi vizita edhe në Athinë por edhe në Prishtinë dhe e theksova, do të afirmojmë institucionalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Greqisë”, tha Thaçi.
Thaçi tha se vendet e rajonit të Ballkanit, pavarësisht të kaluarës së errët që kanë pasur mes vete, tani po bëjnë garë se kush më parë të plotësojë standardet dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian.