Greqia po ushtron presion mbi Gjermaninë për ta bindur të ndalojë shitjen e nëndetëseve të saj për Turqinë, duke thënë se kjo do të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë detare në Mesdheun lindor.
Greqia dhe Turqia janë përfshirë në mosmarrëveshje rreth statusit territorial të tokave dhe ujërave të Mesdheut – dhe më e rëndësishmja, rreth rezervave të gazit dhe naftës që gjenden aty. Rezervat energjetike të Mesdheut lindor kanë bërë që të shtohen interesat e fuqive fqinje. Turqia njoftoi se do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz në ujërat e debatueshme të Mesdheut lindor, skenë kjo ku gushtin e kaluar pati një përplasje mes anijeve ushtarake turke dhe greke gjatë një ballafaqimi detar.
Situata bëri që të dy vendet anëtare të NATO-s të ishin shumë pranë një përplasjeje ushtarake. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të premten, gjatë një turneu në provincën veriperëndimore të Turqisë në Sakarya të Detit të Zi: “Cilatdo qofshin të drejtat tona, ne do t’i marrim ato në një mënyrë ose në një tjetër. Do të vazhdojmë operacionet tona të kërkimit të naftës në Mesdheun lindor, Qipro dhe të gjitha ato dete”.
Nëndetësja e parë, nga gjashtë nëndetëset gjermane me destinacion Turqinë, u hodh në det në fillim të vitit, dhe parashikohet t’i bashkohet flotës detare turke vitin që vjen. Pesë nëndetëset e tjera të klasit Reis do të dorëzohen gjatë viteve që vijnë në bazë të marrëveshjes me vlerë rreth 4 miliardë dollarë. Greqia i kërkoi Bashkimit Evropian muajin e kaluar që të vendoste një embargo armësh ndaj Turqisë, por Gjermania, Spanja dhe Italia e kundërshtuan kërkesën.