Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se me shumë shqetësim po ndjek spektaklin dashakeq të Dosjeve që po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë.
Sipas Haradinajt, zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, që po ushqejnë debatin mediatik, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.
“Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë. Kosova si viktimë përballë agresorit, UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë”, ka shkruar ai në Facebook.