Haradinaj thotë se të mërkurën prezantohen “punët e mëdha” të 100-ditëshit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të mërkurën do të prezantohet raporti për punën 100-ditëshe të Qeverisë.

Ai u tha ministrave që t’ua hedh një sy raporteve në mënyrë që prezantimi të bëhet më efikas.

“Të mërkurën që vjen janë 100 ditët e Qeverisë sonë, do të prezantojmë një raport me punët më të mëdha të kryera. Ju kisha lut hidhjani një sy, shihni a po e gjeni veten, a jeni ju ata. Ky raportim është hera e parë që ndodh i këtillë. Veprime të 100-ditëshit që nga zyra e kryeministrit. E kemi nderin t’ia prezantojmë popullit, Parlamentit, të mërkurën e javës që vjen. Duhet ta dërgojmë këtë raport në shtyp, këtë raport t’ua prezantoj deputetëve, presidentit, kryeparlamentarit dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Qeveria, po ashtu, në mbledhjen e mbajtur ka ndarë mjete në vlerë prej 30 mijë eurosh për rehabilitimin e familjarëve të personave të zhdukur.

Qeveria, po ashtu, miratoi nismën për lidhjen e marrëveshjes me Turqinë për bashkëpunim financiar ushtarak dhe protokollin e saj implementues.

Në këtë mbledhje Qeveria miratoi Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se ky Projektligj është në harmoni me aktet ligjore të Bashkimit Evropian në këtë fushë./Gazeta Express/

Leave a Reply