“Ky proces mbetet detyrimi më i madh ndaj brezave të rinj”
Në Ditën e Evropës kryediplomati Igli Hasani u shpreh se BE do të jetë më e plotë vetëm me integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Hasanit mbetet thelbësor përshpejtimi i procesit të integrimit, pasi vetëm kështu Evropa do të jetë më e plotë dhe më e sigurt.
Igli Hasani: Fjala kyç për Europën sot, por sidomos për ne është përshpejtimi i procesit të integrimit, jo ngecia në vend, jo ecja mbrapa. Vetëm kështu Europa do të jetë më e plotë dhe më e sigurtë përkundrejt çfarëdo lloj sfide brenda dhe jashtë kontinentit. Pa bashkësinë e vendeve të Bashkimit Europian asnjë vend i veçantë sado i madh apo i zhvilluar qoftë nuk mund të luaj një rol protagonist në skenën globale.
Hasani u ndal edhe tek rezultatet e zgjedhjeve në RMV.
Igli Hasani: Unë përshëndes rezultatin historik të arritur nga faktori shqiptar gjatë votimeve të ditës së djeshme dhe rezultatin historik të një grupi njerëzish, të atyre shqiptarëve që do të vazhdojnë ta mbajnë edhe Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Europian, në rrugën drejt familjes të vlerave të përbashkëta demokratike, në rrugën drejt të qenit aleat në NATO.
Duke folur për zgjedhjet evropiane, Hasani theksoi se është e rëndësishme që procesi i zgjerimit të mbetet në fokus të axhendës./KN